RSS

A po zhduken vallet tradicionale shqiptare?

04.10.2008

Art & Kulturë

Megjithëse folklori shqiptar është shumë i pasur, pas luftës, shumë njerëz që janë marrë me vallet tradicionale, kanë hequr dorë nga kjo punë, për t’u marrë me ndonjë punë tjetër, apo me vallet moderne.

Vallja shqiptare është ndër vallet më të lashta në Ballkan. Këto valle janë çmuar jashtëzakonisht shumë, jo vetëm nga koreografët shqiptarë, por edhe nga shumë studiues të huaj, të cilët kanë pasur rastin ta vizitojnë Shqipërinë apo Kosovën. Pas luftës, shumë njerëz që janë marrë me vallet tradicionale, kanë hequr dorë për t’u marrë më ndonjë punë tjetër, apo edhe për t’u marrë me vallet moderne që sot për sot janë aktuale, ndoshta të pavetëdijshëm se sa është i pasur folklori shqiptar.

Çka i karakterizon vallet lirike dhe ato epike?
Vallet tradicionale shqiptare janë valle që në motivet e tyre kanë mesazhe të ndryshme. Zakonisht këto valle përmbajnë temat e nderit, besnikërisë dhe guximit, duke mos përjashtuar edhe ato valle që i përkushtohen dashurisë dhe gëzimeve familjare, siç janë dasmat. Këto valle përmbajnë emocione të shumta, të cilat arrijnë të interpretohen nga lëvizjet e valltareve. Vallet ndahen në dy gjini, atë lirike dhe epike.

Vallet lirike zënë vend të madh në folklorin koreografik. Luhen kryesisht nga gratë, e më pak nga burrat ose gra e burra bashke. Kurse vallet epike karakterizohen nga forca, burrëria, trimëria, karakteri luftarak, madhështia etj. Vallet zakonisht te shqiptarët kanë qenë të popullarizuara dhe pjesërisht ende është e popullarizuar. Mirëpo, tash vallet më shumë preferohen nëpër dasma e shumë.

Shoqëritë kulturo-artistike kohët e fundit shumë pak merren me vallet dhe thuajse kanë hequr dorë fare nga kjo traditë e lashtë jona.

Sot ansamblet e ndryshme më shumë ekzistojnë si emër, por pak bëjnë koreografi të valleve. Valltarët sot prezantohen vetëm në ndonjë promovim, ku merr pjesë kryetari apo kryeministri i shtetit. Ka pak festivale për valle, dhe ata pak festivale që janë mezi organizohen për shkak të problemeve financiare.

Dilaver Kryeziu: Vallja tradicionale kultivohet, por sa ruhet?
Koreografi i mirënjohur, Dilaver Kryeziu, mendon se vallja shqiptare nuk rrezikon të zhduket, ajo mund të jetë në krizë e cila mund të largohet vetëm kur institucionet kulturore financiarisht t’i ndihmojnë shoqëritë kulturo-artistike.

“Vallja shqiptare nuk po zhduket. Mjafton ta vizitoni Festivalin e “Xonajve”, në Has, i cili festival ndiqet nga më shumë se 10 mijë njerëz. Pastaj festivalet e Prizrenit, Vitisë, Rahovecit etj. Dua të përmend këtu ansamblet “Malësori”, i Gjonjve dhe “Bresana”, të Opojës, të cilët ansamble edhe sot e kësaj dite e mbrojnë me fanatizëm vallen shqiptare”, tha Dilaver Kryeziu për “Kosova Sot”.

Vallja tradicionale pa dyshim është kulturë në vete dhe si e këtillë ajo duhet të mbrohet në mënyrë institucionale. Kështu mendon edhe Kryeziu. “Vallja tradicionale kultivohet, por problemi është sesa ruhet kjo valle. Institucionet tona duhet t’i ndihmojnë shoqëritë kulturo-artistike me qëllim që ata të kenë mundësi ta kultivojnë edhe më tej vallet shqiptare.

Ne si koreografë mundohemi që t’i ripunojmë vallet tradicionale, por jo shumë për shkak se po të ndërhymë 100 % në vallen origjinale asaj do t’i humbë kuptimi, prandaj ne e ruajmë origjinalitetin, por ndërhymë aty ku duhet”, theksoi Dilaver Kryeziu.

Shqiptarët kanë qenë të lidhur ngushtë me traditën, por kur erdhi demokracia, e cila si duket na pëlqeu të gjithëve, dalëngadalë fillojë të harrohet edhe tradita shqiptare, e cila me shekuj ka qenë e pranishme ndër ne dhe është mbrojtur me xhelozinë më të madhe. Por, gjithmonë vjen një kohë kur duhet të lihet anash diçka për ta pranuar një diçka tjetër të re.

Zymer Neziri: Koha imponon “zhdukjen” e valleve të vjetra.
Studiuesi i këngëve epike dhe eposit të Kreshnikëve, Zymer Neziri, mendon se puna e valles tradicionale lidhet drejtpërdrejtë me këngën e vjetër shqiptare. Dihet që prej disa vjetësh nuk krijohet ndonjë këngë e vjetër shqiptare, e cila do të shoqërohej me ndonjë valle të re.

“Kur flasim për traditën duhet të mendojmë së pari për këngët malësore, të cila sot krijohen pak. Pastaj instrumenti ynë, lahuta tash shumë pak përdoret”, tha studiuesi Zymer Neziri.

Si duket, në kohën në të cilën jetojmë shumë pak preferohet tradicionalja, mirëpo “zhdukja” e valleve shqiptare nuk duhet të shikohet në ndonjë prizëm negativ, ngase shumica e popujve që e kanë pasur të pasur folklorin apo vallet me kohë i kanë “zhdukur”, jo që kanë dashur ata, por koha ua ka imponuar. “Do të vijë një kohë kur ne nipave tanë do t’ju flasim me shumë mburrje për traditën tonë, e cila traditë pikërisht filloi të harrohet nga ne”, përfundon Zymer Neziri.

autor:
B. ZYBERI
Kosova Sot

Nuk ka artikuj të ngjajshëm.

,