Ish-kampioni i botës dhe piloti i Renault, Fernando Alonso, ka treguar se ai ende është një garues i madh, duke e fituar Garën e Madhe të Singaporit.
Kampioni i dyfishtë i Botës ka shënuar triumfin e tij të 29-të në karrierë duke dalë para pilotit gjerman të Williams, Nico Rosberg, derisa i treti u rendit, udhëheqësi i këtij kampionati, Lewis Hamilton.
Kjo është fitorja e parë e pilotit spanjoll që nga fitorja në Itali në vitin e kaluar.
Gara e sotme ka qenë sfidë e re për secilin pilot pasi që është zhvilluar në një qark rrugor të ndriçuar nga reflektorë të fuqishëm, duke bërë që të jetë njëra nga garat më emocionuese të këtij sezoni.
Piloti i Ferrari, Felippe Massa, e filloi garën nga vendi i parë, por një gabim katastrofal i kushtoi atij humbjen e pikëve të vlefshme drejt titullit. Brazilianit i ishte dhënë drita e gjelbër për t’u nisur nga ndalesa, derisa ai filloi me tubin e benzinës të ngjitur për rezervuari, duke arritur kështu vetëm vendin e 18.
Kjo ishte një mbrëmje e keqe për Ferrarin, pasi që edhe pilotit tjetër, kampioni i Botës, Kimi Raikkonen, katër xhiro para fundit goditi në barrierat. /Telegrafi/
Nuk ka artikuj të ngjajshëm.


28.09.2008
Sport