RSS

Elbasan, zbulohen dy varre ilire në muret e kalasë

08.08.2010

Art & Kulturë

Zbulohen afër mureve të Kalasë së Elbasanit dy varre të lashta ilire, ndërkohë që Elbasani është fare pranë ngritjes së një muzeu arkeologjik.

Dy varret ilire që u zbuluan afër mureve të kalasë gjatë realizimit të projektit për të, sipas specialistëve, do të jenë objekt i ardhshëm i studiuesve të fushës së arkeologjisë.

Sipas Neritan Cekës që ishte dje në Elbasan dhe pa nga afër zbulimin e ri rrëzë mureve të kalasë së lashtë, ky zbulim i rëndësishëm jo vetëm për vendin tonë, por për Ballkanin dhe më gjerë, është një bazë shumë e mirë për ngritjen e një muzeu arkeologjik.

Në muajin shtator pritet të fillojnë punimet për realizimin e një projekti të Bashkimit Europian, në lidhje me rivitalizimin e Kalasë së Elbasanit, të zgjerimit dhe restaurimit të Bazilikës paleo-kristiane të Bezistanit, zbuluar dy vjet më parë, por që për mungesë fondesh ka mbetur si “varr i hapur” mes qytetit, duke u mbuluar nga barishtet.

Ky fond që shkon në 1 milion e 200 mijë euro, është dhëna nga BE-ja. Ndërsa 200 mijë euro të tjera do të jepen nga Komisioni Europian.

Projekti parashikon që të rihapet rruga ‘Egnatia’, e cila kalon mes përmes kalasë dhe rindërtimin e portave kryesore dhe një projekt që do ta kthejë kullën e mbiquajtur “Kulla e Zindanit”, e cila ndodhet në sheshin përballë teatrit “Skampa” në një muze arkeologjik. Kjo e fundit do të jetë një iniciativë e një sipërmarrësi privat, e ngjashme me përshtatjen antike të lokalit “Real-Scampis” brenda në kala të Elbasanit.

Mozaiku i famshëm i Bazilikës së Tepes, një nga më të bukurit në Ballkan, do të jetë pjesë e këtij projekti, i cili parashikohet të mbulohet me xham, dhe do të bëhet i vizitueshëm për turistët.

Bazilika e zbuluar vitin e kaluar në qendër të Elbasanit(pjesë e rëndësishme e kulturës së lashtë në këtë zonë) nuk do të jetë më një vendgrumbullimi plehrash por do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme për turizmin arkeologjik.

Specialistët thonë se një pjesë e 6 milionë eurove të dhëna nga Komisioni Europian për mirëmbajtjen e objekteve të trashëgimisë arkeologjike do të përdoret në objektet e qendrës së Elbasanit, ku ndër më të rëndësishmet është dhe Bazilika pranë ‘Rrapit të Bezistanit’.

Nga ky financim që do të përdoret dhe në Korçë, Shkodër, Himarë e gjetkë, Elbasani do përfitojë rreth 1.2 milionë euro. Bazilika e Elbasanit do të marrë një pamje madhështore pasi ajo do të mbulohet me xham falë financimit prej rreth 180 mijë euro.

Kjo do jetë bazilika e parë në rajonin e Ballkanit që do jetë e mbuluar me xham ndërsa më herët nuk u arrit një gjë e tillë për atë të Linit në Pogradec.

Por së shpejti, në Elbasan falë financimeve të Komisionit Europian do realizohen investime që do i shërbejnë shtimit të turizmit arkeologjik e atij kulturor.

Së afërmi edhe kulla e Kalasë do kthehet në një minimuze arkeologjik, duke e bërë këtë qytet sipas arkeologëve një nga nyjat më të rëndësishme e më të preferuara për turizmin e kësaj fushe.

Nuk ka artikuj të ngjajshëm.

, , ,