Në fillim e provoi Intel-i dhe tani është IBM-ja ajo që është fiksuar me disqet me gjendje të pandryshueshme (SSD). Më datë 28 gusht IBM deklaroi se po testonte një disk SSD të shpejtësisë së lartë me kapacitet 4 terabajt, i cili do të ketë si destinacion bizneset, pasi gjigandi i teknologjisë të japë miratimin e tij.
Për vite të tëra kartat e kujtesës flesh (SSD-të e para) kanë qenë të kufizuara për aparatët fotografikë dixhitalë dhe lexuesit e muzikës si iPod. Por tashmë SSD-të janë në prag të pushtimit të tregut për sa i përket kapacitetit të ruajtjes, shpejtësisë dhe përhapjes, pasi po fillojnë të gjejnë vendin e tyre në çdo gjë, nga minilaptopët e deri te sistemet e ruajtjes së të dhënave në korporata. Pikërisht te sistemet e ruajtjes së biznesit i ka hedhur sytë IBM-ja. Inxhinierët e laboratorëve të IBM-së në Angli dhe në Kaliforni kanë demonstruar rezultate që arrijnë të kalojnë sistemin më të shpejtë të ruajtjes së të dhënave në botë me rreth 250 %.
Nën emrin Projekti Quicksilver, IBM-ja ndërthur disqet SSD me teknologjinë e saj të virtualizimit, për të arritur një ritëm të qëndrueshëm transferimi prej më shumë 1 milion hyrje/daljesh në sekondë, me një kohë përgjigjeje prej më pak se një milisekondë në një disk SSD 4.1 terabajtësh. Për të bërë një krahasim, kujtojmë se Intel po prodhon një seri SSD (X25-E Extreme), që veç e vec arrijnë të lexojnë të dhëna me shpejtësi 35000 hyrje/dalje në sekondë, ndërsa shpejtësinë e shkrimit e kanë 3300 hyrje/dalje në sekondë. Në një vektor me 120 SSD, Intel pretendon 4.2 milionë hyrje/dalje në sekondë.
Hyrje/dalje për sekondë është një njësi mjaft e rëndësishme vlerësimi për konsumatorët e mëdhenj, që përpunojnë informacionin e kartave të kreditit, ose kanë sisteme rezervimi, për shembull.
“Hedhja në treg brenda 12 muajve është e mundur”, thotë Charlie Andrews, drejtor i marketingut të produktit për sistemet e ruajtjes së IBM-së. “Tashmë kemi në dorë një sistem tmerrësisht të shpejtë, por duhet ende punë për sa i përket qëndrueshmërisë në afate të gjata kohe dhe integrimit me aplikacionet e sistemit.” tha ai. Krahasuar me sisteme më të shpejtë të disqeve të ngurtë, Quicksilver jo vetëm që e ka rritur performancën me 250%, por e bën këtë në më pak se 1/20 e kohës së përgjigjes, në 1/5 të hapësirës që zënë të tjerët dhe me 55% të energjisë.
“Përmirësime të tilla të performancës mund të kenë një impakt thelbësor te biznesi, duke mundësuar që e njëjta sasi pune të kryhet 2 – 3 herë më shpejt,” thuhet në një deklaratë të kompanisë. Sipas IBM-së, implementimi i parë i SSD-ve të saj ishte zbatuar në serverat IBM BladeCenter në qershor të vitit të shkuar. /Revista Zero/
Nuk ka artikuj të ngjajshëm.

25.10.2008
Kompjuter & Internet