RSS

Lewis Hamilton shpallet kampion

02.11.2008

Sport

Ngasësi i Mclarenit, Lewis Hamilton ka përfunduar në pozitën e pestë në garën e fundit dhe më dramatiken e kampionatit, atë për Çmimn e Madh të Brazilit duke fituar kështu edhe titullin e kampionit në Formula 1.

Hamilton në xhiron e fundit të garës, i sulmuar nga gjermani Sebastian Vettel, humbi vendin e pestë ku qëndroi shumicën e kohës, por rikuperoi atë në sekondat e fundit pasi piloti i Toyotas, Timo Glock, u tërhoq nga gara.

Felipe Massa, i cili filloi garën nga pozita e parë doli edhe fitues i garës së sotme për Çmimin e Madh të Brazilit, por kjo nuk i ndihmoi të arrinte edhe titullin, edhe pse në momentet e fundit të garës u duk që ai do të ishte kampioni.

Piloti, i cili ka kryesuar me pikë gjatë gjithë sezonit, Hamilton, e filloi garën me shtatë pikë diferencë nga sfiduesi kryesor për titull, Massa, dhe duhej ta përfundonte garën nga vendi i pestë e lartë.

Pozita e gjashtë, ku disa sekonda para fundit të garës u gjend Hamilton, e bënte kampion Felipe Massan, me pikë të barabarta por me numër më të shumtë fitoresh, gjendje që për disa çaste solli festë tek Ferrari.

Hamilton bëri gjithçka që ta kalonte Vettel, së paku për ta siguruar vendin e pestë, por megjithëse nuk arriti ta parakalojë atë, arriti të përfundojë para një gjermani tjetër, Timo Glock.

Në garën padyshim më dramatike dhe më interesante të sezonit, në vendin e dytë arriti piloti i Renault, Fernando Alonso, ndërsa në pozitën e tretë ngasësi tjetër i Ferrarit dhe tashmë ish-kampioni, Kimi Raikkonen.

Kreu i tabelës pas përfundimit të kampionatit duket i njëjtë, Lewis Hamilton në pozitën e parë udhëheq me 98 pikë, i ndjekur nga Felipe Massa me një pikë më pak, 97. Vendi i tretë mbahet nga Raikkonen me 75 pikë, sa ka edhe Robert Kubica në vendin e katërt.

Çmimi i konstruktorëve i takoi Ferrarit që udhëheq bindshëm ndaj rivalit McLaren. Skuadra italiane mbledh 172 pikë, derisa ekipi anglez 151 pikë.

Me titullin e fituar, Hamilton bëhet kampioni më i ri në historinë e kësaj gare. Ai është vetëm 23-vjeçar.

/Telegrafi/

Nuk ka artikuj të ngjajshëm.

,