Dy bankat më të mëdha amerikane të investimeve kanë ndryshuar statusin dhe kanë filluar të pranojnë depozita, në kuadër të asaj që po shihet si faza më e fundit e një ristrukturimi madhor të tregjeve financiare në Shtetet e Bashkuara.
Kjo lëvizje u jep bankave Goldman Sachs dhe Morgan Stanley mundësinë për t’u ndihmuar nga banka qendrore,por e shton edhe mbikëqyrjen e tyre nga rregullatorët e bankës.
Korrespondentët thonë se këto ndryshime shënojnë fundin e imazhit tradicional të qendrës financiare Wall Street. Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Henry Paulson, i ka kërkuar Kongresit të shpejtojë miratimin e planit 700 miliardë dollarësh të administratës amerikane për shpëtimin e institucioneve financiare.
“Kjo është një ndërhyrje e madhe nga shteti. Unë mendoj se kjo është një kohë e paprecedent. Sistemi ynë rregullator nuk funksionon, ai ka mangësi. Unë asnjëherë nuk kam menduar se filozifia e ndërhyrjes është gjë e mirë, por po ju them se në këtë moment është e nevojshme”, tha Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Henry Paulson.
Zoti Paulson u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin amerikan për zgjidhjen e krizës financiare globale.
Plani i daljes nga kriza është shoqëruar edhe me kritika. Të dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama dhe John McCain, kanë kërkuar kontroll të pavarur të zbatimit të këtij plani. /BBC/
Nuk ka artikuj të ngjajshëm.

21.09.2008
Biznes & Ekonomi