RSS

Sophia Loren dhe Brigitte Bardot, dy ikonat e kundërta në prag të ditëlindjes së 75-të

11.09.2009

VIP & Showbiz

Sophia Loren dhe Brigitte BardotKur Sophia Loren mbushi 72 vjeçe, tre vjet të shkuara, ajo e festoi këtë përvjetor, veç të tjerash, edhe me pozimin për një kalendar fotosh nudo. Në këtë përpjekje që doli me sukses, ajo konkurroi me femra që minimalisht kishin gjysmën e moshës së saj.

Veshjet e holla prej mëndafshi e taftaje veçse ia shtuan bukurinë trupore zonjës së kinemasë dhe e shndërruan kalendarin në suksesin e saj të fundit. Një ndihmës i Papës në Vatikan madje deklaroi se nëse Selia e Shenjtë do të ndryshonte ndonjëherë mendimin e saj në lidhje me klonimin e njerëzve, ky ndryshim do të kishte për bazë vetëm bukurinë e Lorenit dhe dëshirën për ta risjellë atë në jetë.

Po atë vit, një tjetër ikonë e kinemasë botërore, Brigitte Bardot, u fotografua teksa po shkonte në një takim me ministrin e atëhershëm të Brendshëm të Francës, Nikolas Sarkozi, për të diskutuar në lidhje me përpjekjet për mbrojtjen e kafshëve. Aktorja e famshme franceze është njëkohësisht dhe një nga personat më të pasionuar dhe më të zjarrtë të luftës kundër keqtrajtimit të kafshëve. Në atë takim, Bardot kishte veshur një kostum të zi, kishte vënë shumë grim dhe ishte përpjekur me të gjitha mënyrat për t‘u shfaqur shumë më e re nga ç‘ishte, duke shkaktuar kështu një efekt të kundërt. Këtë muaj, pra këtë shtator, këto dy ikona të kinemasë dhe bukurisë femërore do të mbushin plot 75 vjeç. Legjendat e viteve ‘60, Loren dhe Bardot, kanë zgjedhur një mënyrë plakjeje shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, duke shkaktuar reagime krejt të ndryshme nga publiku, ai i admiruesve të dikurshëm dhe publiku më i ri. Ditëlindjet e tyre përvijojnë një pyetje të pashmangshme: Cila është mënyra më e mirë e plakjes për një ikonë kinemaje e për më tepër bukurie? Shpesh problemi me një ikonë është se ne i konceptojmë ato të pandryshueshme, sidomos në rastin e ikonave të bukurisë fizike.

Ne krijojmë ikona në një periudhë kohore të caktuar dhe më pas duam që ato të vazhdojnë të qëndrojnë të pandryshuara dhe në atë periudhë, mundësisht. Kurrë nuk presim që simbolet tona të plaken. I duam të reja, të freskëta dhe gjithmonë me buzë në gaz, si të ishin kukulla prej dylli. Por edhe nëse plaken, do të donim që të plakeshin në variantin e Sophia Loren, pra të bukura dhe gjithmonë me atë aureolën e divave. Në rastin e Bardot, ajo është shndërruar në një zonjë të moçme, që e tregon plotësisht moshën që ka mbi supe, pavarësisht gjithë tentativave të saj për ta fshehur një gjë të tillë. Por në raste të tilla, shpesh ikonat kur e shohin se bukuria e tyre, ajo që i shndërroi në ikona, ka perënduar njëherë e mirë, vendosin që të tërhiqen nga jeta publike dhe të shfaqen sa më pak para kamerave apo në TV. Bardot dhe Loren përfaqësojnë tipe të ndryshme bukurish dhe dy mënyra të ndryshme plakjeje. Bardot ka zgjedhur që të jetë një plakë e zakonshme, pa përdorur operacione plastike, duke u sforcuar të ketë një veshje e grim, por pa ndërhyrje të tjera artificiale.

Sophia Loren dhe Brigitte BardotNdërsa Loren ka zgjedhur që të jetë seksi deri ditën e fundit të jetës së saj dhe kjo, të paktën në rastin e saj, nuk ka asgjë për t‘u qortuar, pasi deri më tani ajo ia ka dalë të jetë unike për moshën e saj. Në vitet e suksesit dhe të famës së tyre, si Bardot, ashtu edhe Loren, përfaqësonin dy lloje të ndryshme bukurish femërore. Bardot, aktorja franceze që u bë e famshme me filmat e regjisorit Roger Vadim, e veçanërisht me filmin “Dhe Zoti krijoi gruan”, ishte femra-kotele me një bukuri e feminilitet të brishtë, që i çoi shijet e njerëzve në një epokë të re shijesh seksuale.

Loren ishte një pjesëmarrëse e konkurseve të bukurisë, e cila vinte nga Napoli i Italisë, qytet jugor dhe u bë e famshme në kinema e madje fitoi si rrallë kush në Itali një çmim “Oskar” për filmin “Dy gra”. Ajo ishte ylli brun i kinemasë, që emetonte sensualitet nga çdo pore e trupit të saj. Bardot dhe Loren kishin krijuar stereotipin brun dhe biond të bukurisë femërore. Bardot ishte më shumë një kotele, ndërsa Loren shpesh bëhej edhe tigreshë dhe ishte më e sofistikuar dhe me më shumë forcë e karakter. Të dyja përfaqësonin stereotipat femërorë të vendeve nga vinin: Bardot nimfën franceze të femrës të konsideruar si lodër seksi, ndërsa Loren femrën e fortë, shumë sensuale dhe pak të pagdhendur të Italisë. Por ndikimi që ato patën në fakt shkoi përtej përfaqësimit të këtyre stereotipave. Në vitin 1960, kur nisi të lindte edhe periudha e një lirie më të madhe seksuale në krahasim me hermetizmin dhe tabutë e një dhjetëvjeçari më parë, Loren dhe Bardot nisën që të përfaqësonin shumë më tepër se vetëm femrën e vendeve nga vinin.

Modelet e tyre nisën që të kapërcenin kufijtë e tradicionales. Loren në mënyrë shumë skandaloze dhe të bujshme u martua me producentin e divorcuar italian, Carlo Ponti, në një kohë kur Italia nuk e njihte divorcin. Por ndërkohë thuhet se ka pasur marrëdhënie edhe me ish-Presidentin Kenedi, Peter Sellers dhe Omar Sharif. Ndërsa Bardot u martua 4 herë resht. Në fakt, biondja e konsideruar si “kotele” ishte shumë sensuale në ekran dhe e shthurur në jetën e saj private. Për të, filozofja ekzistencialiste, Simone de Beauvoir, shkruante në vitin 1962 se “Bardot, më shumë se një viktimë, është një grabitqare e vërtetë…”.

Bardot është një eksport shumë i rëndësishëm i Francës me të njëjtën vlerë si marka e automobilave “Renault”. Joshja seksuale e Bardot nuk ishte thjesht një veprim për të tërhequr meshkujt, por një sfidë e hapur ndaj femrave të tjera. Ajo nuk të falte kur bëhej fjalë për seksualitetin e saj, sepse të qenët e tillë ishte thelbi i natyrës së saj. Ajo nuk kishte asgjë të përbashkët me yjet e kinemasë të epokave të tjera. Ishte natyrale, e lirshme, shpesh gjysmë e zhveshur dhe e zbathur, nuk i pëlqente që të krihej, apo edhe të bënte shumë makijazh. Ishte imazhi i lirisë së femrës dhe i rinisë së saj të shpenguar e provokuese në një epokë që po sillte ndryshime shumë të mëdha. Në fakt, ajo ishte lënë e lirë që të shprehte vetveten, pa asnjë pengesë.

Ishte e lirë si një mashkull që dëshironte dhe arrinte të realizonte dëshirat e saj. Ajo kishte të dashur, por mund ta linte atë e të gjente të tjerë. Një pjesë e famës së Bardot i atribuohet edhe shfaqjes së paparacëve. Bardot ishte shumë e zonja që t‘i miklonte ata dhe t‘i bënte të publikonin vetëm ato që ajo dëshironte, jo gjëra të tjera. Ishin pikërisht paparacët që e shndërruan në një yll dhe i dhanë famë në të gjithë botën, dhe ajo ishte bashkëpunëtorja më e mirë e tyre. Loren, ndryshe nga mënyra e hapur dhe shpesh spontane e Bardot, ishte shumë më e kujdesshme për imazhin e saj, për mënyrën se si shfaqej në publik. Ajo ka qenë gjithmonë shumë krenare për pamjen e saj të jashtme dhe është kujdesur në maksimum e deri në detaje për ta paraqitur atë gjithmonë të freskët dhe të kuruar. Ajo e dinte se mund të fotografohej edhe nga njerëz të rastësishëm dhe duhet që të ishte shumë e rregullt në paraqitje edhe jashtë në rrugë. Në vitin 1979 dikush i bëri një set shumë të gjatë fotosh në revistën franceze “Paris Match”.

Fotot ishin të fshehta dhe i ishin bërë ndërsa po kënaqej në plazhin e jugut të Francës. Pasi e mori vesh një gjë të tillë, ajo i hodhi menjëherë në gjyq botuesit e revistës dhe që atëherë askush nuk ka guxuar shumë që të nxjerrë foto të saja të paautorizuara. Bardot ishte shumë origjinale dhe vetvetja, ndërsa Loren jepte vetëm ato që ajo donte të shihnin të tjerët prej saj. Ky dallim shumë i madh mes dy aktoreve që përjetuan famën dhe suksesin në të njëjtën periudhë, pra atë të viteve ‘60, bëri që edhe rrugët e karrierave të tyre të merrnin drejtime të ndryshme. Pas shfaqjes në më shumë se 50 filma të ndryshëm, duke nisur që nga mosha 18-vjeçare, Bardot lajmëroi tërheqjen e saj nga jeta publike para se të mbushte 40 vjeçe. Pas kësaj, ajo iu kushtua tërësisht çështjes së mbrojtjes së kafshëve, u shndërrua në vegjetariane dhe në vitin 1986 themeloi fondacionin që mban emrin e saj për ruajtjen dhe mbrojtjen e kafshëve.

Vitet e fundit ajo fitoi reputacion për sjellje të çuditshme dhe gjithmonë të justifikueshme. Në vitin 2008 ajo i shkroi një letër të hapur ish-kandidates për zëvendëspresidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sarah Palin, duke e akuzuar që “ishte një grua për faqe të zezë” dhe që nga viti 1997 është akuzuar 5 herë për nxitje të dasive racore ndaj myslimanëve të shumtë që jetojnë në Francë. Nga ana tjetër, Loren vazhdoi të punojë pa ndërprerje, pavarësisht moshës, dhe aktualisht po xhiron një tjetër film.

Ajo ka deklaruar në një intervistë se fiziku i saj është në atë formë si pasojë e një diete të vazhdueshme dhe të përditshme me makarona të prodhuara të Itali. “Gjithçka që shihni tek unë është vetëm falë spagetit”, ka deklaruar ajo.

Sofia nuk e ndryshoi dhe nuk e braktisi kurrë karrierën e saj. Ajo edhe sot vazhdon të jetë një yll, ndërkohë që ylli i Bardot ka kohë që ka perënduar. Sofia për disa është shumë profesioniste dhe pavarësisht moshës, vazhdon të punojë, e këtë nuk e bën më për të fituar, por kryesisht për t‘u kënaqur dhe sepse kjo është gjëja që ajo di të bëjë më mirë dhe që vazhdon ende t‘i pëlqejë. Bardot nga ana e saj zgjodhi që të shpëtojë jetën e kafshëve dhe për t‘u marrë me kafshët nuk është e nevojshme që të dukesh e bukur. Megjithatë, të dyja zgjedhjet në vetvete janë të admirueshme.

Bardot, një grua me një famë dhe bukuri të jashtëzakonshme në të ri, zgjodhi me vullnet të lirë që të braktiste dritat e skenës dhe të niste një udhëtim të ri e krejt të ndryshëm me atë të viteve të para të jetës. Sharmi i saj ka qenë gjithmonë ai natyral, edhe pse sot ajo përpiqet çuditërisht të bëjë një makijazh shumë të rënduar për të fshehur paksa rrudhat në publik. Loren, nga ana tjetër, refuzon çdo lloj thashethemi që mund të përgojosë daljen e saj në pension dhe vazhdon të ruajë pamjen e saj të jashtme prej ylli, në mënyrë që të vazhdojë të bëjë atë punë që ka bërë kur ishte e re, pra prej dhjetëvjeçarësh të tërë.

Çështja është shumë më e gjerë se vetëm ajo e Loren apo Bardot. Në fakt, ato përfaqësojnë dy mënyra të ndryshme të të përballurit me vitet që ikin dhe me pleqërinë. Njëra është gruaja që nuk tërhiqet nga ajo që ka bërë gjatë gjithë jetës dhe që sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë të mbetet e tillë deri në fund të jetës, ndërsa tjetra është gruaja që bëri një tjetër zgjedhje dhe ndërroi famën e statusin e një ylli me një tjetër linjë jete. Është një mënyrë e thjeshtë në dukje, por në fakt shumë kyçe.

Loren dhe Bardot mund të kenë të njëjtën moshë dhe të njëjtën histori, por me kalimin e viteve ato u shndërruan në dy gra me jetë krejt të ndryshme, zgjodhën rrugë të ndryshme. Këtë muaj, të dyja do të festojnë 75-vjetorin e lindjes dhe sigurisht në mënyra të ndryshme. Loren me pompozitet, ndërsa Bardot ka të ngjarë vetëm me macet e saj. Edhe në këtë fazë të avancuar të pleqërisë, ato vazhdojnë të ndjekin linjat e tyre të ndryshme, dhe kjo ndoshta, përveç bukurisë së dikurshme, është arsyeja e vërtetë që i ka shndërruar në ikona.

Nuk ka artikuj të ngjajshëm.

, , , ,