Bashkëpronari dhe bashkëthemeluesi i Yahoo-së, Jerry Yang, ka paralajmëruar largimin e tij nga kjo kompani në momentin që të gjendet zëvendësimi i duhur për të në pozitën e drejtorit të përgjithshëm.
Në letrën e tij dërguar të punësuarve të kompanisë Yahoo, Yang ka theksuar: “Gjithmonë do të bëj gjërat e drejta për këtë kompani kualitative”.
Arsyet e mundshme për largimin nga kompania e tij janë rënia e aksioneve për pothuajse dhjetë dollarë si dhe mospranimi i ofertës së Microsoftit për blerjen e Yahoo-së e cila ka pasur vlerë prej 33 dollarësh për aksion. Kërkimi për kryesuesin e Yahoo-së tanimë ka filluar nën mbikëqyrjen e Roy Bostockut, por edhe të Jerr Yangut.
“Jerry është një afarist i shkëlqyer, megjithatë bashkërisht kemi marrë vendim se tani është koha e duhur për një njeri të ri i cili do të ngritë Yahoo-në në një nivel të ri”, ka deklaruar Bostock.
Në fillim të muajit Yang në konferencën Web 2.0 e cila është mbajtur në San Francisco i ka habitur të pranishmit me deklaratën se Microsoft megjithatë është dashur të blejë Yahoo-në.
“Sot është më së miri për Microsoftin të blejë Yahoo-në. Shitja nuk është një ide e keqe e madje edhe për cilindo çmim që e ofron Microsofti”, kishte thënë Yang. /Telegrafi/
Nuk ka artikuj të ngjajshëm.

19.11.2008
Kompjuter & Internet