RSS

Zbehet interesimi për lexim: vetëm 30% lexojnë

24.10.2008

Edukim

Në bazë të anketës së OJQ-së ‘’Lundra’’, vetëm 30% e të rinjve tanë janë aktivë në procesin e leximit dhe të studimit, ndërkaq pjesa tjetër e të rinjve të shumtën e kohës e kalojnë nëpër kafeteri, por edhe duke u marrë me aktivitete të tjera.

Edhe pse janë përmirësuar kushtet infrastrukturore, si dhe është pasuruar fondi bibliotekar, në bibliotekat e Prishtinës, por edhe në mbarë Kosovën, duke përfshirë këtu edhe Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, interesimi i të rinjve për të lexuar literaturë ka rënë dukshëm.
Kreshnik Lajçi është njëri ndër studentët e paktë që tërë kohën e kalon në bibliotekë të qytetit dhe në atë kombëtare, duke lexuar dhe studiuar vepra nga më të ndryshmet. Ai thotë se ndihet mirë kur lexon, ngase leximi, sipas tij, është ushqim shpirtëror.

Bibliotekat e pashfrytëzuara
Përgjegjës nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë thonë se nuk mund të bëhet klasifikim se cili lloj i literaturës është më i kërkuar nga të rinjtë që e frekuentojnë këtë bibliotekë, duke marrë parasysh se shumica e lexuesve janë studentë dhe secili për vete interesohet të sigurojë literaturë që ka të bëjë më profilet për çka është i përcaktuar të studiojë. Mirëpo, shitësit e librave përballë hotelit ‘’Grand’’ në Prishtinë thonë se është e vërtetë që ka rënë niveli i lexueshmërisë nga të rinjtë, por megjithatë ka të rinj që janë shumë të etur për dije të reja dhe në këtë aspekt lexojnë vepra nga më të ndryshmet. “Të rinjtë, kur të vijnë dhe të blejnë libra, ata kryesisht janë të interesuar për romane të ndryshme dhe zakonisht blejnë nga bestsellerët botërorë.

Një ndër romanet më të kërkuara nga të rinjtë tanë, kohëve të fundit, është romani i Paulo Koelos “Alkimisti” për të pasuar pastaj nga “Gjuetari i Balonave “ nga Khalil Hosein, pastaj veprat e Kadaresë e kështu me radhë”, thotë Albert Hasku, shitës i librave në sheshin “Nëna Terezë”. Edhe punonjësit nga biblioteka ndërkomunale “Hivzi Sylejmani“ në Prishtinë thonë se, krahasuar me kohët e kaluara, ka rënë niveli i interesimit në mesin e të rinjve tanë për të studiuar. Sipas tyre, është shumë e vështirë të thuhet se nga çfarë lloji të literaturës studiojnë të rinjtë tanë, ngase kërkesat janë të llojllojshme se deri më tani nuk kanë nxjerrë statistika, nga të cilat do të kishim një pasqyrë të saktë rreth lexueshmërisë.
Sadri Gashi, lexues i rregullt në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, thotë se kushtet në këtë bibliotekë janë të mira, por, megjithëkëtë, numri i të rinjve që studiojnë në këtë bibliotekë është tejet i vogël në krahasim me kapacitetet që ka kjo bibliotekë. Edhe studenti i Fakultetit të Filologjisë, Haruk Hasani, thotë se të shumtën e kohës e kalon në bibliotekën e këtij fakulteti.

Interneti zëvendëson bibliotekën
Në bazë të një ankete të bërë me qytetarë nga OJQ “Lundra“ në Prishtinë, përkitazi me atë se sa lexojnë të rinjtë tanë, rezultatet kanë treguar se vetëm 30% e të rinjve tanë janë aktivë në procesin e leximit dhe të studimit, ndërkaq pjesa tjetër e të rinjve të shumtën e kohës e kalojnë nëpër kafeteri, por edhe duke u marrë me aktivitete të tjera. Aziz Zymeri, përgjegjës për projekte në këtë organizatë, tha se OJQ “Lundra”, duke e parë që dita-ditës po bie niveli i leximit në mesin e të rinjve tanë, kemi qenë kureshtarë që të bëjmë këtë anketë në bazë të së cilës do të njoftoheshim se si qëndron situata.
“Pavarësisht të gjithave, edhe interneti dhe format e tjera të vjeljes së njohurive janë të mirëseardhura, sidomos sot në kohërat e globalizimit. Megjithëkëtë, leximi assesi nuk guxon të bjerë në nivele të ulëta, sepse, tekefundit, edhe kultura dhe niveli i dijes së një populli dhe një kombi varet nga leximi dhe studimi”, tha Zymeri.
S. M. GASHI

Kosova Sot

Nuk ka artikuj të ngjajshëm.